KRYQI I KUQ SHQIPTAR


Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri misioni i rë cilit është “të ndihmojë, nëpërmjet veprimtarisë së vet humanitare, njerëzit më në nevojë duke mobilizuar forcën e humanizmit të shoqërisë”. Ai është themeluar më 4 tetor 1921 dhe është njohur zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Po në këtë vit, ai bëhet anëtar i Federatës së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Veprimtaria e KKSH rregullohet në bazë të Ligjit Nr. 7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të miratuar nga Parlamenti Shqiptar më datë 29.9.1994, dhe të Ligjit Nr. 7865 “Për mbrojtjen e emrit dhe emblemës së Kryqit të Kuq”, datë 29.9.1994. Ajo bazohet në Parimeve themelore të KK dhe GjK. dhe Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokolleve shtesë të 10 qershorit 1977 – ratifikuar më 16 qershor 1993. Ai është ndihmës i organeve të pushtetit për çështjet humanitare.

Pak histori

Në Shqipëri, veprimtaritë e para të KK, datojnë në fillim të shekullit të 19-të. Fillimisht janë shërbimet e KK të Ushtrive të përfshira në Luftën e I Botërore, dhe në vitin 1919 – 1920, KK Amerikan organizon veprimtari të ndryshme për më nevojtarët në shumë rrethe të vendit. Ai u themelua më 4 tetor të vitit 1921, me synimin për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, në veçanti, refugjatëve të ardhur nga Dibra dhe të prekurve nga tërmeti në Elbasan dhe Tepelenë. Me mbështetjen e shtetit dhe të donatorëve të brendshëm dhe të jashtëm, KKSH arrin shumë shpejt të organizojë veprimtarinë e tij në fushën e shëndetit, atë të edukimit dhe në shpërndarja e ndihmave për shtresat më të varfra. Gjatë Luftës së II, krahas veprimtarive të tjera, KKSH ngriti një Spitali fushor në frontin e luftës Italo-Greke, hapi një Zyrë Kërkimi për të zhdukurit dhe ndihmoi popullsinë e zhvendosur. Në vitet e para të pasluftës, veprimtaritë e Shoqatës ishin ndihma për më të dëmtuarit nga lufta. Por, shoqata shumë shpejt filloi të vihet nën influencën e shoqatave të vendeve të lindjes, duke humbur shumë nga tradita dhe për t’u kthyer thjesht në një shoqatë të propagandës shëndetësore. Në vitin 1969 ndërpriten të gjitha veprimtaritë praktike të KKSH. Për një periudhë njëzet vjeçare KKSH pushon së funksionuari. Me rifillimin e veprimtarive të KKSH në vitin 1989 e në vazhdim, si një shoqatë e re, ajo krijon bazën e saj ligjore dhe një strukturë organizative në forcim të vazhdueshëm. KKSH ka sot 39 degë në mbarë vendin. Ai ka arritur një zhvillim të mirë, duke u bërë shoqata humanitare më e madhe në vend. Fushat në të cilat ai vepron janë:

• Përhapja e vlerave humanitare dhe Parimeve Themleore të Kryqit të Kuq;

• Përgatitja dhe ndërhyrja në raste fatkeqësish

• Edukimi shëndetësor

• Përkujdesja sociale

• Zhvillimit organizativ

• Rritja e qëndrueshmërisë financiare

Parimet themelore

Humanizmi E lindur nga dëshira për t’u ardhur në ndihmë pa dallim të plagosurve në fushat e betejës, Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në rrafshin ndërkombëtar dhe kombëtar, përpiqet në çdo rrethanë të parandalojë dhe të lehtësojë vuajtjet e njerëzve. Ajo synon mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njeriut si dhe respektimin e tij. Përkrah mirëkuptimin e ndërsjelltë, miqësinë, bashkëpunimin dhe një paqe të qëndrueshme midis të gjithë popujve.

Paanësia Lëvizja nuk bën asnjë dallim për arsye kombësie, race, feje, gjëndje shoqërore apo përkatësie politike. Punon vetëm për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në vuajtjet që kanë dhe për t’u dhënë zgjidhje me përparësi nevojave më urgjente.

Neutraliteti Me qëllim që të ketë gjithnjë besimin e të gjithëve, Lëvizja i shmanget pjesëmarrjes në çfarëdo polemike me karakter politik, racial, fetar apo ideologjik.

Pavarësia Lëvizja është e pavarur. Duke qenë ndihmëse të pushteteve publike në veprimtaritë e tyre humanitare dhe duke iu nënshtruar ligjeve të vendeve përkatëse, Shoqatat Kombëtare duhet megjithatë të ruajnë një autonomi që u lejon të veprojnë gjithnjë sipas parimeve të Lëvizjes.

Vullnetarizmi Ajo është një lëvizje që jep ndihmë vullnetare dhe pa interes

Uniteti Nuk mund të ketë veçse një Shoqatë të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në të njëjtin vend. Ajo duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe të shtrijë veprimin e saj humanitar në tërë territorin.

Universaliteti Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në gjirin e së cilës të gjitha Shoqatat kanë të drejta të barabarta dhe detyrën të ndihmojnë njëra-tjetrën, është e përbotshme.